Gjiknuri: KQZ, vendimarrje të paligjshme

17/05/2011 19:40

Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri ka deklaruar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke marrë një vendim të paligjshmën në kundërshtim me ligjet në vend dhe Kodin Zgjedhor.

Ai theksoi se deputetët e PS-së ndodhen në sallën e KQZ-së për të sensibilizuar njerëzit se po shkelet haptas ligji dhe po tentohet të ndryshohet rezultati në tavolinë.

“Vendimarrja që ata duan të bëjnë është e jashtëligjshme dhe nuk e parashikon Kodi Zgjedhor. Duan të bëjnë numërim kur numërimi ka mbaruar. E vetmja detyrë që ka KQZ-ja është nxjerrja e rezultatit të zgjedhjeve, që do të thotë tabulimi, mbledhja aritmetike e rezultateve”, është shprehur Gjiknuri.

“KQZ po merr një vendim që nuk bazohet në ligj dhe është tërësisht politik. Po ndryshon rregullat e lojës në mes të lojës. Si KQZ-ja ka guxim të ndryshojë rezultatin pa dalë rezultati? Le të dalë rezultati dhe ata që kanë pretendime, le t’i bëjnë ato, por jo në këtë fazë. Nuk mund që rezultati të dalë në tavolinë, pasi rezultati ka mbaruar”, theksoi ai.

Mbledhja e ardhshme e KQZ-së është parashikuar për ditën e nesërme në orën 10.

Top Channel