KQZ, debate për Tiranën

16/05/2011 23:05

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka ende rezultat për Tiranën. Por komisioni miratoi në mbrëmje me unanimitet procedurat që do të ndjekë administrata për nxjerrjen e rezultatit final. (UPDATE)

Ligji i jep 48 orë kohë, por pas mbërritjes së tabelave nga të 11 minibashkitë e kryeqytetit. Dhe të hënën në mbrëmje mungonin rezultatet e minibashkisë 5.

Tabela me rezultatet e firmosura nga vetëm 3 anëtarët në pakicë të KZAZ-së, nuk ka vlerë ligjore. Ndaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përpara miratimit të rezultatit për Tiranën, duhet të nxjerrë rezultatin përfundimtar të minibashkisë 5.

Minibashkia 5 ishte e fundit ku mbaroi numërimi për kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe bllokimi i nxjerrjes së rezultatit ishte pjesë e debatit gjatë seancës së paradites.

“I kërkova KQZ-së që të urdhërojë KZAZ-në përkatëse që të rikthehet puna. I kam kërkuar gjithashtu të shkarkojë përfaqësuesit e mazhorancës në këtë komision”, deklaroi Genc Gjoncaj.

“Lidhur me cështjen, ne kemi shqyrtuar kërkesat ankimore dhe inspektorët kanë shkuar ta vizitojnë”, ndërhyri kryetari Arben Ristani.

“Të respektohet ligji, afati dhe kodi, por për të gjitha KZAZ-të e Tiranës, jo vetëm për atë 49”, tha pas tij komisioneri demokrat Njazi Kosovrasti.

Procesi i certifikimit të rezultatit duket se po ndiqet me vëmendje nga treshja e ambasadorëve të Bashkimit Europian, OSBE-së dhe Shteteve të Bashkuara.

Pasi ndoqën javën e shkuar numërimin e votave në minibashkitë e Tiranës, ambasadorët patën të hënën një takim me kryetarin dhe nënkryetaren e KQZ-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA