Arrestimi i kreut të FMN-së ka qenë lajmi i ditës në Greqi. Pyetja kryesore në shtypin vendas ishte se cili do të jetë zëvendësuesi dhe cfarë qëndrimi do të ketë ai ndaj Athinës.

Bashkimi Europian dhe FMN-ja janë duke diskutuar lëvizjet e ardhshme për Greqinë, që ka marrë deri tani një paketë ndihme, por as ajo duket se nuk mjafton për t’i zgjidhur telashet e borxhit, cka nxiti diskutimet për mundësinë e një huaje të re.

“Shërbyesja i krijon pengesa Greqise”, shkruan e përditshmja “Elefterotipia”. Artikulli kryesor i gazetës liberale përqendrohej tek zëvendësi i Straus Kahn dhe a mund t’i vendosë ai Greqisë kushte më të rrepta për cdo ndihmë tjetër ekonomike.

“Seks, hua dhe garanci”, është titulli i madh i “Ta Nea”, “E vërteta lakuriq”, ai i “Espresso” dhe “Shërbyesja i reziston përdhunuesit të FMN-së”, titulli i ashpër i “Elefteros-Tipos”.

Qeveria greke tha të djelën se arrestimi i Straus Kahn nuk do ta cënojë implementimin e planit të dorëzanisë nga BE dhe FMN.

Megjithatë, prangosja e tij mund të shkaktojë vonesa pasi shumë takime të rëndësishme janë pezulluar.

Të djelën, Straus Kahn duhet të bisedonte me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe të merrte pjesë në një takim të ministrave të Financave të vendeve të eurozonës, ku do të diskutohej kriza e borxhit, si dhe mënyrat e menaxhimit të problemeve te Greqisë dhe rifitimin e besimit të tregut. Megjithatë, grekët po përpiqen të mendojnë pozitivisht.

“Do të doja të besoja se nuk kemi për cfarë të shqetësohemi. Europa ka politikat e saj, Fondi Monetar ka politikat e tij dhe nuk dua të mendoj se largimi i Straus Kahn nga drejtimi i këtij organizmi, që me të gjitha gjasat kështu do të ndodhë, ka për t’i ndryshuar gjërat rrënjësisht”, ka deklaruar avokati Thomas Zigas.

Ndërsa një zyrtar grek tha për “Reuters” se, Strauss Kahn e njihte ndoshta më mirë se të tjerët situatën e Greqisë, por shtoi se ndalimi i tij nuk do të ndikojë as qëndrimin e Athinës e as atë të FMN-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA