
Pas dy ditësh ka rinisur furnizimi me ujë të pijshëm në tre qytetet të vendit, Durrës, Fier dhe Vlorë.
Sipas burimeve zyrtare, mësohet se në orët e para të mëngjesit të së shtunës, në këto qytete ka nisur furnizimi me ujë të pijshëm.
Burime jo zyrtare pohojnë se furnizimi me ujë në këto qytetet ka ardhur pas ndërhyrjes së ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi për të rikthyer furnizimin me energji elektrike të stacioneve të pompave të ndërmarrjeve të ujësjellësit.
ÇEZ e ka marrë këtë masë drastike për të tre këto qytetet, duke mos furnizuar më me energji pompat e ujësjellësit, pasi ndërmarrjet e ujësjellësave nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike për muaj me radhë.
Të paktën ujësjellësi në qytetin e Fierit ka akumuluar një borxh prej 15 milionë lekësh në muaj që nga tetori i vitit 2010.
Drejtues të ujësjellësit thonë se këto ndërmarrje nuk janë fitimprurëse dhe është e pamundur përballimi i faturave të tilla, e si rrjedhojë sytë e tyre kanë qenë gjithmonë nga qeveria për t’i kërkuar subvencionim.
Në Vlorë ku është përuruar edhe hapja e sezonit të ri turistik, furnizimi me ujë ka rifilluar, por jo në gjithë qytetin.
Drejtoresha e ujësjellësit Barbara Gjika ka sqaruar se pas presionit që i është bërë ÇEZ-it, është dhënë energji elektrike për 5 pompat, çka ka bërë që 60% e qytetit të furnizohet me ujë.
Pompat e ujit që furnizojnë pjesën tjetër të qytetit me ujë kanë pësuar defekt si pasojë e ndërprerjes së punës dhe po punohet për rikuperimin e tyre.
Edhe Durrësi është furnizuar me ujë gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.
Top Channel