Ndërtuesit, letër Bodes për tatimin

14/05/2011 08:00

Zgjerohet rrjeti i bizneseve që shprehen kundër projektligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, që parashikon vendosjen e një shkalle të re takse në varësi të fitimeve.

Gazeta “Shqip” mëson faktin se Shoqata e Ndërtuesve i ka dërguar një letër ministrit të Financave lidhur me taksën e re, duke i shprehur shqetësimin.

“Jemi kategorisht kundër vendosjes së kësaj takse, e cila jo vetëm që nuk realizon objektivin e qeverisë, por dëmton rëndë bizneset dhe planet e tyre të investimeve”, shprehen ndërtuesit në letër.

Sipas tyre, ndryshe nga sa pretendon qeveria dhe Ministria e Financave në veçanti, taksa e re nuk prek vetëm sektorin bankar dhe atë të telefonisë mobile, por edhe shumë subjekte të sektorit të ndërtimit.

Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar disa herë të takohet me krerët e Financave, për të diskutuar jo vetëm për projektligjin e ri, por edhe për problemet e ndryshme që shqetësojnë sektorin.

Prej një muaji ndërtuesit, bashkë me ministrin, kanë nisur negociatat për gjetjen e zgjidhjes ligjore që zhbllokon hipotekat e rreth 400 apartamenteve, dhe së shpejti pritet që palët të shqyrtojnë më konkretisht pikat e propozimeve që do të japin.

Sipas propozimit të qeverisë, nuk do të ketë më një taksë fikse prej 10 për qind sa i takon tatimit mbi fitimin, por aplikimi i saj do të jetë në varësi të rentabilitetit, e ndarë në tre shkallë tatimore, 10, 20 dhe 30 për qind.

E thënë ndryshe, kush krijon fitime më shumë se 30 për qind, norma e taksës do të jetë 30 për qind, ose tri herë nga sa aplikohet sot.

Nisur nga shkalla e lartë tatimore që propozohet, shumë Shoqata Biznesesh janë shprehur kundër nismës së Ministrisë së Financave, madje kundër taksës së re është deklaruar edhe vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA