PS: Manipulim me votat e pavlefshme

13/05/2011 21:15

Deputeti socialist Erion Braçe ka denoncuar një skemë manipulimi, sipas tij, për nxjerrjen e sa më shumë votave të pavlefshme.

Ai ka akuzuar drejpërdrejt kryeministrin Sali Berisha, kandidatin e “Aleancës për qytetarin” Lulzim Basha dhe kreun e KQZ-së Arben Ristani se po tentojnë të manipulojnë proçesin.

“Kur kutitë, pavarësisht me një ngadalësim të tejskajshëm, po shkojnë drejt fundit po vëmë re me shqetësim një skemë të qartë manipulative që synon të nxjerrë sa më shumë fletë të pavlefshme për çdo kuti votimi ku shqiptarët kanë materializuar vullnetin e tyre. Kjo skemë manipulative është e urdhëruar nga Sali Berisha nga kandidati i tij humbës dhe në fund nga Arben Ristani”, tha Braçe.

“Arben Ristani ky zyrtar që po vë në rrezik zgjedhjet në Shqipëri dhe që ka në kurriz zgjedhjet e 2009-ës, është përpara një strategjie për nxjerrjen e fletëve të pavlefshme. Ky është problemi që po rrëzon zgjedhjet në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë”, shtoi deputeti socialist.

Ndërkohë përfaqësuesi ligjor i PS-së ne KZAZ-në 49 thotë se 90 përqind e fletëve të konsideruara si të pavlefshme janë për kandidatin Edi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA