Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me atë se qytetarët e Kosovës ende dalin në rrugë për të demonstruar për synimet e veta politike.

Duke komentuar protestën e së entjes kundër vizitës së Borko Stefanoviçit në Prishtinë, presidentja kërkoi që problemet të zgjidhen në institucione dhe jo në rrugë.

Këto komente zonja Jahjaga i bëri të premten në një akademi përkujtimore me rastin e 30 vjetorit të rënies heroike të Tahir Mehës.

“Mua si presidente e vendit më dhemb kur edhe sot djemtë dhe vashat e Kosovës dalin në rrugë për të protestuar. Është e dhimbshme që në anën tjetër kemi policët tanë të Kosovës që mbrojnë rendin dhe ligjin. Nuk është mirë për askënd që ne nuk kemi krijuar rrethanat ku janë institucionet dhe jo rruga që gjen zgjidhje”, tha Jahjaga.

Vizita e shefit të ekipit negociator serb Borko Stefanovic përveç protestave, është karakterizuar me mos transparencë të plotë. Përveç që nuk u bë publike axhenda e takimeve, qeveria nuk ka lëshuar detaje rreth asaj se çfarë u bisedua në takime, me përjashtim të një komunikate e cila flet për dialog konstruktiv mes palëve.

Qeveria e Kosovës po kështu ka çensuruar fotografitë e takimit duke bërë që në to të duket vetëm flamuri i Kosovës e jo edhe ai Serbisë.

Zyrtarët qeveritarë nuk japin shpjegime për këtë, ndërsa thonë se një flamur i vogël serb ka qenë i vendosur në tavolinë.

“Mund t’i modifikojmë, por jo t’i fshehim, sa për protesta unë kam pritur që të dalin familjet e të zhdukurve”, është shprehur zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Stefanoviç të entjen u takua me Kuçin, për një orë e gjysmë qëndroi në takim me zëvendëskryeministren Edita Tahiri. Në ndërtesën e qeverisë ai u takua edhe me përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, Fernando Gentilini.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA