INSTAT: Zarzavatet, uljen më të madhe

13/05/2011 08:15

Stina e pranverës dhe afrimi i sezonit të verës, me një klimë më të përshtatshme për disa kultura bujqësore në vend janë duke avantazhuar konsumatorët, të cilët, në krahasim me dy-tre muaj më parë, janë duke i blerë ushqimet më lirë.

INSTAT raporti dje për një nivel çmimesh në muajin prill me kosto më të ulët, krahasuar me tre muajt e kaluar.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin prill 2011, arriti 112.2 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007, duke shënuar një ulje prej 0.6 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin prill është 4.1 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.7 për qind.

Pra, siç shikohet, niveli i inflacionit ka pësuar ulje, nga 4.3 për qind që ishte në muajin mars dhe 4.5 për qind, në muajin shkurt, që ishte dhe niveli më kritik, që detyroi Bankën e Shqipërisë të rriste normën e interesit, me 0.25 pikë përqindje. Më konkretisht, indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një ulje prej rreth 1.5 për qind, ku brenda këtij grupi ulja më e madhe prej gati 12.6 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”.

Këtu INSTAT përmendim uljen e çmimit të kastravecëve me 49.5 për qind, të spinaqit me 22.9 për qind, domateve me 19.0 për qind, patëllxhanëve me 18.6 për qind dhe specave me rreth 11.8 për qind.

Ndryshe paraqitet situata me frutat, ku çmimet e tyre, në muajin prill kanë pësuar një rritje prej rreth 4 për qind, ku mund të përmendim në mënyrë të veçantë rritjen e çmimit të limonëve me 8.8 për qind, portokajve me 7.6 për qind, mollëve me 6.5 për qind dhe kivit me 1.2 për qind.

Sikurse shihet, frutat e sezonit të dimrit nisin të rriten dhe në treg kanë nisur shitjet frutat e stinës së nxehtë, si qershitë, rrushi dhe kumbullat.

Top Channel