Durrës-Fier-Vlorë pa ujë

13/05/2011 17:55

Prej dy ditësh tre nga qytetet e mëdha të vendit, dy prej tyre turistike, si Vlora, Durrësi dhe Fieri, kanë mbetur pa ujë.

Një ndërpreje e menjëhershme e furnizimit me ujë të këtyre tre qyteteve për një arsye të njëjtë, mospagesa e faturave të energjisë elektrike nga ndërmarjet e ujësjellësave.

ÇEZ ka marrë këtë masë drastike për të treja këto qytetet duke mos furnizuar më me energji pompat e ujësjellësit të tyre.

Të paktën ujësjellësi në qytetin e Fierit ka akumuluar një borxh prej 15 milionë lekësh në muaj që nga tetori i vitit 2010.

Drejtues të ujësjellësit thonë se këto ndërmarrje nuk janë fitimprurëse dhe është e pamundur përballimi i faturave të tilla, e si rrjedhojë sytë e tyre kanë qenë gjithmonë nga qeveria për t’i kërkuar subvencionim, gjë e cila me sa duket nuk është bërë e mundur, duke i cuar në shifra shumë të larta faturat e këtyre tre qyteteve e në të njëjtën kohë duke sjellë këtë masë të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike ÇEZ.

Mungesa e ujit të pishëm në Vlorë ka sjellë dhe rradhë të gjata nga banorët në pikat e burimeve natyrore të qytetit.

Ndërkohë drejtoresha e Ujësjellësit të Vlorës, Varvara Gjika shprehet me e shqetësuar për mungesën e ujit në spitale dhe furrat e bukës.

Edhe në Durrës është i njëjti problem. Drejtuesit e ujësjellësit konfirmojnë fikjen e pompave në ujësjellësit e Fushë Kuqes në Fushë Krujë nga furnizohet qyteti i Durrësit.

Me bidona në duar, qytetarë të moshave të ndryshme në kërkim të ujit mbërrijnë në dyert e ujësjellësit ku janë më të sigurtë dhe për cilësinë e ujit që marrin.

Ende nuk ka asnjë njoftim se kur mund të rikthehet energjia elektrike në pompat e ujësjellësit të këtyre tre qyteteve në pragë edhe të sezonit turistik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA