Arvizu: Të marrë fund loja politike

13/05/2011 23:20

Ambasadori amerikan, Alexander Arvizu rikthehet të vëzhgojë nga afër procesin e numërimit të fletëve të votimit në KZAZ-në numër 49 në njesinë 5.

Arvizu degjoi pretendimet dhe shpjegimet e perfaqesuesve te dy koalicioneve kundershtare rreth ceshtjes se fleteve te kontestuara dhe ndërprerjes së procesit të numërimit.

Nga shkallët ku ulen vëzhguesit e procesit të numërimit në këtë KZAZ, ambasadori Arvizu improvizoi një konferencë për mediat me gazetarët e pranishëm aty.

Zoti Arvizu bëri thirrje që procesi numërimit të përfundojë sa më parë, pasi sic tha ai, të gjithë njerëzit, ndjehen të lodhur tashmë.

“E dija që më duhej të vija këtu sonte. Është për të ardhur keq që është ndërprerë numërimi këtu. U përpoqa t’u them të dyja palëve se procesi duhet të përfundojë. Ajo që më cudit mua është se ka një dakordësi, por konfuzioni është se të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për vlefshmërinë e votave dhe për ngadalësinë e procesit. Nëse vihet në pikëpytje vlefshmëria e fletës së votimit, duhet zhvilluar një proces për të sqaruar këtë gjë, sipas procedurave dhe nuk duhet ndëprerë numërimi. Është e premte dhe filluam të shtunën në mbrëmje, njerëzit janë të lodhur dhe të mërzitur nga kjo, numëruesit, vëzhguesit, palët dhe vetë kandidatët”, nisi fjalën e tij ambasadori amerikan.

Më tej Arvizu nënvizoi se procesi është në fazën finale dhe duhet vullneti e arsyetimi i të gjitha palëve për ta cuar në fund atë.

Nëse procesi i stërgjatë i numërimit të votave në këto zgjedhje do të ndikojë në raportin përfundimtar vlerësues për të gjithë procesin, zoti Arvizu la të kuptohej se kjo mund të reflektohej në vlerësim, gjithësesi, tha ai, për më shumë duhet pyetur kreu i misionit të OSBE/ODIHR, Jonathan Stonestreet.

“Procesi stërgjatë i numërimit mund të ndikojë në vlerësimin përfundimtar të zgjedhjeve, por më shumë duhet të pyesni zotin Stonestreet”, tha ambasadori Arvizu.

Mbi mundësitë e kontestimit të rezultatit të zgjedhjeve, ambasadori amerikan tha se shanset janë të mëdha, nisur nga rezultati i ngushtë. Por, tha ai, në fund do të kemi një fitues dhe një humbës dhe shpresoj që humbësi të përgëzojë fituesin.

Ambasadori pranoi se ka patur ndërprerje të qëllimshme të procesit të numërimit nga të dyja palët, por sic tha ai, kjo është pjesë e lojës politike, që gjithësesi duhet të ketë një limit.

“Mendoj që të dyja palët po luajnë lojëne tyre dhe kjo është pjesë e politikës, por mendoj se gjithcka duhet të ketë një kufi. Ka ardhur një pikë ku loja nga të dyja palët duhet të përfundojë. Lidershipi politik duhet të japë sinjalet e duhura që procesi të përfundojë”, tha ambasadori amerikan, Arvizu.

Ashtu si një mbrëmje më parë, edhe Ettore Sequi, ambasadori i BE-së në Tiranë ka vizituar KZAZ-në e njësisë 5.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA