
Kanë kaluar më shumë se një muaj nga krijimi i grupit të punës dhe në Ministrinë e Financave vijon ende diskutimi për gjetjen e formulës së duhur të taksës për shitblerjen e mjeteve të transportit brenda territorit të vendit.
Burime nga ministria bëjnë të ditur për gazetën “Shqip”, se në grupin e punës janë përfaqësuesit nga dogana, tatimet dhe Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor.
Të tria këto institucione, bashkë me Ministrinë e Financave, diskutojnë dhe negociojnë çdo mundësi ndryshimi të taksës. Mësohet se debati më i fortë përqendrohet mes Drejtorisë së Transportit Rrugor dhe Doganës.
Kjo e fundit është kundër heqjes së tarifës për makinat e importit, kurse transporti rrugor propozon vendosjen e një koeficienti mbi vjetërsinë e mjetit, e cila do të paguhet te kolaudimi.
Negociatat bëhen më të vështira kur në mes janë direktivat e BE-së.
Gjatë periudhës gusht-dhjetor 2010, janë regjistruar rreth 2882 veprime, të ndërrimit të pronësisë, ose gati 81.5 përqind më pak se periudha janar-korrik.
Pikërisht në muajin gusht hyri në fuqi taksa e re, e cila ka bllokuar tregun e shitjes së automjeteve.
Sipas statistikave, për pesë muaj, në tregun vendas janë shitur vetëm 1146 automjete të përdorura, ose bashkë me të rejat 2882, kurse për pjesën e parë të vitit, si 7-mujor, ishin regjistruar 15 652 mjete transporti.
Top Channel