Shqiptarët paguajnë borxhet e Enverit

12/05/2011 08:10

Kanë kaluar rreth 20 vjet nga përmbysja e sistemit komunist në vend dhe duket se gjithçka ka ndryshuar mbi mënyrën e të jetuarit, mentalitetit, modelit ekonomik etj.

Duket se ngjarjet e 55 viteve qeverisje të Enver Hoxhës i përkasin të kaluarës dhe me kalimin e kohës po harrohen. Por fqinjët tanë dhe aleatët e dikurshëm komunist, nuk harrojnë detyrimet që Shqipëria ka për borxhet e marra deri në vitin 1991.

Pavarësisht propagandës së kohës se “gjithçka i bëjmë me forcat tona, pa ndihmën e vendeve kapitaliste, apo të fqinjëve tradhtarë”, duket ekonomia shqiptare e diktaturës komuniste nuk mund t’ia dilte e vetme, sidomos në periudhat kur ndërpriste marrëdhëniet me vende si Jugosllavia, Rusia apo Kina.

Nga viti 1945 dhe deri në 1991, periudhë kur nisi dhe përfundoi qeverisja komuniste, Shqipëria mundi të merrte borxh rreth 700 milionë dollarë. Sot, vendet e ish-bllokut komunist kërkojnë t’u kthehen sërish këto detyrime, ndërsa qeveria aktuale shqiptare përpiqet të gjejë kompromis për një kosto më të ulët. Aktualisht po zhvillohen negociata me disa vende, ku mësohet se qeveria shqiptare e ka njohur borxhin e marrë nga Enver Hoxha, për nevoja të vendit, por jo i gjithi do të shlyhet.

“Borxhi i vjetër i marrë në kohën e komunizmit, i cili është njohur prej nesh dhe ka filluar të shlyhet prej disa vitesh, është rreth 200 milionë dollarë. Borxhi total i marrë në kohën e komunizmit është shumë më tepër se kaq (rreth 700 milionë dollarë amerikanë), por pjesa më e madhe e tij iu fal Shqipërisë gjatë viteve 1991-1995”, tregon për gazetën “Shqip”, drejtori i menaxhimit të borxhit publik, në Ministrinë e Financave, Xhentil Demiraj per “Shqip”.

Në shumicën e rasteve, borxhi është marrë në formë “malli” dhe është çmuar në “clearing dollar”, vlera e të cilit tradicionalisht vlerësohet me raportin 1:1 me dollarin amerikan (për efekt të zgjidhjes së borxheve të vjetra). Demiraj tregon se shtetet nga të cilat qeveria komuniste e kohës kishte marrë më shumë borxh gjatë periudhës së komunizmit janë Rusia, Kina dhe Greqia, totali i të cilave i afrohej vlerës së 100 milionë dollarëve.

“Marrëveshjet e para me vendet ish-komuniste kanë nisur në vitin 1998, por realisht vetëm nga viti 2006 e këtej është punuar me intensitetin e duhur për të riskeduluar gjithë borxhin e vjetër”, bën të ditur kryemenaxheri i borxhit shqiptar.

Ministria e Financave synon që brenda këtij viti të zgjidhë në mënyrë përfundimtare të gjitha borxhet e vjetra. Sipas Xhentil Demirajt, shlyerja e të gjitha borxheve të vjetra përbën një lajm shumë të mirë për karakterin e Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të kapitaleve.

Pjesa e borxhit të pashlyer, por dhe të pariskeduluar, është tashmë e vogël, nën 10 milionë dollarë. Pjesa e borxhit që vijon të shlyhet pasi është riskeduluar, përfshirë dhe një pjesë që sapo është riskeduluar, por s’ka filluar ende të shlyhet, është rreth 130 milionë dollarë.

Vetëm Greqisë, qeveria shqiptare i dha rreth dy vjet më parë, 40 milionë dollarë, marrëveshja u firmos me ardhjen e Kryeministrit grek të atëhershëm, Karamanlis.

Top Channel