
Të gjithë nxënësit që aktualisht po bëjnë pushim për shkak të pezullimit të mësimit si pasojë e shtyrjes së afatit të numërimit të votave, kanë surpriza.
Ndërsa po shijojnë ditët e pushimit, qindra nxënës që duhet të shkonin në mësim nga e hëna e kësaj jave s’do të kenë asnjë ditë pushim deri në mbarimin e shkollës.
Asnjë datë e saktë nuk jepet për kohën se kur do të zhbllokohen nga policët, nga vëzhguesit e komisionerët, të gjitha shkollat në kryeqytet që janë kthyer në Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve.
Si nga Komisioni i Zgjedhjeve ashtu edhe nga Ministria e Arsimit apo Drejtoria Arsimore Tiranë nuk jepet ekzaktësisht se kur do të nisë mësimi, por parashikimi i ekspertëve referon ditën e hënë si kohën e rifillimit të mësimit në 11 shkolla në kryeqytet të kthyera në KZAZ.
Është e pamundur që të rifillojë mësimi nëse nuk do të jenë numëruar edhe votat e kutisë së fundit në çdo shkollë, nëse nuk largohen komisionerë, vëzhgues, gazetarë, deputetë, forca të rendit e pjesëmarrës të tjerë, të cilët aktualisht po punojnë natë e ditë për mbylljen e procesit zgjedhor.
“Nuk do të ketë shtyrje një javë mësim, pas mbylljes së shkollave në datën zyrtare, parashikuar në programin vjetor të mësimit. Flitet se do të ketë një zëvendësim mësimi për nxënësit e prapambetur me lëndët, për shkak të pezullimit të mësimit nga tejkalimit të kohës së parashikuar në procesin e numërimit”, sqaroi zyrtarisht Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Sipas ministrisë, zëvendësimi i orëve të humbura do të bëhet gjatë fundjavës. Mësues e nxënës, të gjithë bashkë, do të bëjnë mësim si ditën e shtunë ashtu edhe ditën e diel deri në fillim të muajit qershor. Do të jetë kjo mënyra e rikuperimit të kohës së humbur.
Sakaq, KZAZ-të e mbipopulluara me anëtarë, numërues, si dhe infrastrukturë zgjedhore gjatë këtyre ditëve kanë qenë të shqetësuar për të mbyllur sa më shpejt numërimin, firmosjen e dokumentacionit dhe shpalljen e fituesve për këshillin bashkiak, këshillin e njësisë bashkiake, kryetar të minibashkisë, si dhe kryetar të bashkisë së kryeqytetit.
Zyrtarisht as nga Arsimi e as nga Komisioni Zgjedhor nuk ka pasur një deklaratë zyrtare si para procesit ashtu edhe gjatë procesit për të njoftuar mësues, nxënës e prindër se në 11 shkollat e shndërruara në KZAZ nuk do të zhvillohej mësim për një javë me radhë.
Top Channel