Rama: Fitoren tonë s’e luan topi

12/05/2011 20:10

Kryetari i PS, Edi Rama ka ripërsëritur qëndrimin e tij për fitoren e padiskutueshme, sipas tij, të së majtës në Tiranë.

“Fitoren tonë nuk e luan topi. Këtë herë do kemi një rezultat të ngushtë, por është fitorja më e bukur në radhën e 4 fitoreve të radhës, pasi është fitorja e qytetarëve”, ka deklaruar Rama.

Lideri i opozitës i ka përsëritur uniformave blu, që ngjyrën e uniformave të tyre të mos e ngatërrojnë me atë të flamurit të partisë në pushtet.

Gjithashtu, Rama ka prezantuar kryetarin e ri të bashkisë së Krumës, i cili nga ana e tij ka garantuar se do ta menaxhojë këtë zonë me përgjegjësi.

“I siguroj qytetarët se vota për mua është përgjegjësi dhe privilegj. Jemi të shqetësuar për orvatjen që po bëhet në numërimin e votave në kryeqytet. Përshëndes fitoren e PS”, ka deklaruar ai.

Ndërsa Rama ka përshëndetur edhe fitoren e Vangjush Dakos në Durrës, të cilën sipas tij pak vetë e prisnin.

“I bëj komplimentet më të sinqerta Vangjush Dakos, që realizoi një fitore që shumë pak ishin ata që e besonin se do të ishte e këtyre përmasave. Jam i kënaqur që isha ndër ata të pakët”, ka pohuar Rama.

Më tej kryetari i PS ka falenderuar faktorin ndërkombëtar të akredituar në Tiranë, për asistencën e tij në këtë proces zgjedhor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA