Braçe: Të ndalet bllokimi i njësisë 5

12/05/2011 10:30

Partia Socialiste ka denoncuar bllokimin e numërimit në njësinë 5 në
kryeqytet, duke theksuar se do të ndalet çdo numërim në KZAZ-te e tjera,
nëse në këtë njësi nuk do rifillojë normalisht proçesi.

Deputeti Erion Braçe ka akuzuar kandidatin e mazhorancës për Tiranën, Lulzim Basha dhe ministrin e Bujqësisë, Genc Ruli se po ndërmarrim akte kriminale në përpjekje për manipulimin e proçesit.

“Nëse nuk çlirohet njësia 5 dhe kthehet në normalitet dhe ritëm të plotë zgjedhor, nuk ka numërim votash në asnjë prej njësive të tjera që kanë mbetur pa numëruar. Nuk ka numërim nëse dy kriminelë si Lulzim Basha dhe Genc Ruli nuk ndalin veprimet kriminale. Ne kërkojmë kthimin në normalitet të gjithë proçesit”, tha Braçe.

“Kërkojmë çlirimin e njësisë 5 e cila që nga dita e parë është bllokuar në mënyrë sistematike nga një skemë kriminale. Paralajmërojmë Bashën dhe Rulin se do të përgjigjen ligjërisht edhe për këtë akt kriminal që po bëjnë në njësinë 5. Dua t’u them këtyre kriminelëve që të ndalin veprimet për bllokimin e numërimit”, theksoi deputeti socialist.

Top Channel