Butler: Përgëzojmë qytetarët

11/05/2011 19:40

Komisioni Europian përgëzon qytetarët shqiptarë për pjesëmarrjen e lartë në zgjedhjet lokale, ndërsa vlerësimi për autoritetet vendase do të jepet kur të përfundojë i gjithë procesi. (UPDATE)

Natasha Butler, zëdhënëse e komisionerit Shtefan Fyle, tregoi se qëndrimi paraprak i Komisionit Europian bazohet në vlerësimet e OSBE/ODIHR.

“Ne mbajmë shënim se këto zgjedhje u mbajtën në një atmosferë të tensionuar, me polarizim të lartë. Sic nënvizohet në raport, qëndrimi do të varet nga sjellja deri në përfundim të procesit, ndaj sot ju them se ne po monitorojmë sesi i gjithë ky proces po mbahet, duke përfshirë numërimin sigurisht, shpalljen e rezultatit dhe menaxhimin e ankesave të mundshme. BE konsideron se qytetarët shqiptarë kanë marrë pjesë qetësisht në këto zgjedhje e në disa zona strukturat administrative gargantuan që procesi të vijonte pa pengesa në ditën zgjedhore”, deklaroi Butler.

“E vlerësojmë shumë pjesëmarrjen qytetare në një procesë të tillë demokratik. Presim që sjellja në këto zgjedhje të jetë në përputhje me standartet europiane e demokratike, pasi ky është prioritet kyc për hapat e mëtejshëm të procesit integrues të Shqipërisë, sic nënvizoi Komisioni në Opinionin për Shqipërinë nëntorin e kaluar”, theksoi ajo.

E pyetur disa here mbi një qëndrim më të plotë të Komisionit mbi këto zgjedhje, Butler përsëriti se nuk mund të kishte komente nga BE, kur deri 24 orë më parë, 50% e votave të shqiptarëve nuk ishin numëruar ende nga autoritetet vendase.

Insistimit të gazetarit grek, zëdhënësja e komisionerit Fyle i sugjeroi që të kontaktonte me kryeministrin shqiptar për të mësuar se edhe sa kohë duhej që të mbyllej procesi i numërimit.

“Nuk kam komente për të bërë. Procesi vijon. Por, nëse dëshironi, ju sugjeroj të kontaktoni kryeministrin shqiptar për të mësuar edhe sa kohë do të marrin komisionet zgjedhore në tërësi, që ndodhen nën autoritetin e tij, për të numeruar votat për këto zgjedhje lokale”, u shpreh Butler.

Komisioni Europian u kërkon aktorëve politikë dhe institucioneve vendase që të vijojnë fazat e tjera të procesit nën një atmosferë konstruktive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA