Pas prezantimit të kryetarit të ri të Bashkisë së Sarandës, kryetari i PS-së, Edi Rama ftoi të gjithë qytetarët dhe aktorët pjesëmarrës në procesin e numërimit në Tiranë, të jenë të vëmendshëm.
Rama i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të mos cënojë, sipas tij, procesin e numërimit.
“Është e rëndësishme që të gjithë këtu në Tiranë të fokusohen tek procesi numërimit, të ndjekin me vëmendje këtë proces, dhe Saliu të bëjë kujdesin e duhur e të mos e trashë më shumë zullumin që ka hedhur një hije të rëndë mbi procesin duke cënuar standartet e këtyre zgjedhjeve, por pa mundur të cënojë rezultatin fitues në Bashkinë e Tiranës, qoftë në garën për kryetar, qoftë në garën e këshillit bashkiak”, tha Rama.
Por një apel, lideri socialist i dërgoi edhe Policisë së Shtetit dhe drejtuesve të saj, duke u bërë thirrje të qendrojnë në krye të detyrës e të respektojnë, sipas tij, uniformën blu të Policisë së Shtetit dhe jo flamurin blu të pushtetit.
Frymëzuar nga slogani i përdorur nga demokratët dhe mbështetësit e tyre gjatë fushatës për zgjedhjet e 8 Majit, Rama ka mbyllur me batutë daljen e tij për mediat.
“Tirana është e qytetarëve dhe po; ata janë të parët dhe ata kanë vendosur se kush ka dalë i pari”, deklaroi Rama.
Top Channel