Tiranë, rinis procesi votimit në një qendër në njësinë 10

08/05/2011 23:00

Ka rinisur procesi i votimit në një qendër votimi në njësinë bashkiake numër 10 këtu në Tiranë.

Sipas gazetares së Top Channel e cila ndodhet në vendngjarje, procesi rinisi pas më shumë se 2 orë ndërprerje. 70-80 votues, të ndodhur në koridoret e qendrës së votimit të vendosur në ambientet e shkollës “Konstandin Kristoforidhi”, u lejuan të votojnë pas vendimit të KZAZ-së.

Në këtë qendër votimi ndodhej edhe deputetja e Partisë Socialiste Ledi Shamku. Deputetja Shamku e cilësoi si të paligjshëm rinisjen e procesit, jashtë rregullores së funksionimit të një qendre votimi dhe si një tentativë për manipulimin e zgjedhjeve në njësinë bashkiake numër 10.

“Sipas Kodi Zgjedhor në orën 7 mbyllen dyert dhe kush është brenda duhet të votojë, pas orës 7 të mbrëmjes nuk ka të drejtë asnjë njeri të hyjë. Policia nuk ka bllokuar dyert në orën 7 të mbrëmjes. Po kërkojnë të marrin cdo cikërrimë vote me anë të manipulimit”, tha deputetja Shamku për Top Channel.

Top Channel