Ristani: Të votojnë qytetarët që janë në radhë

08/05/2011 19:00

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani kërkoi nga
komisionerët nëpër të gjitha qendrat ku ka ende qytetarë që të mbledhin
dokumentat e identifikimit dhe t’u mundësojnë atyre votimin edhe pas
përfundimit të orarit zyrtar që është ora 19:00.

“Ka shumë qendra votimi që janë plot me njerëz, të cilët presin për të votuar. Shpresoj që komisionerët të jenë të përgjegjshëm për të votuar. Të gjithë qytetarët që janë në radhë duhet të përmbushin detyrimin e tyre në këto zgjedhje”, tha Ristani.

Kreu i KQZ-së theksoi se komisionerët duhet të respektojnë ligjin dhe nëse do të vihen re shkelje do të merren masa.

Ndërkohë në Përmet, qendra e votimit 4155 ka dërguar kutitë në KZAZ 10 minuta para mbylljes së orarit zyrtar të votimit.

Subashi: Votim vetëm personat në radhë

Nenkryetarja e Komisionit Qendror te Zgjedhjeve, Dëshira Subashi në një dalje për mediat pak minuta më parë bëri me dije se nuk mund të votojnë personat që nuk kanë qenë në radhë në orën 19:00 pranë qendrave të votimit.

Subashi kërkoi ndjekjen e kësaj procedure në komisionet e qendrës së votimit.

Ajo njoftoi po ashtu që ky proces të mbyllet sa më parë me qëllim që së shpejti të nisë procesi i rëndësishëm i numërimit të votave që do të vijojë pastaj me shpalljen e rezultateve paraprake.

Top Channel