Në Kosovë u vendos simbolikisht gurthemeli i linjës së transmetimit 400 kv Kosovë- Shqipëri. Projekti me vlerë prej 75.5 milionë euro financohet nga qeveria gjermane.

Gjatë ceremonisë, në një prej nënstacioneve të termocentralit Kosova B, kryeministri Thaçi e quajti këtë linjë një “autostradë energjitike”.

“Ky projekt do të ndikojë në bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike, në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në Republikën e Kosovës, si dhe në rritjen e shkëmbimit të energjisë elektrike”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut të energjisë elektrike, Fadil Ismajli ka vlerësuar se projekti për ndërtimin e linjës 400 kv do të krijojë kapacitete më të mëdha për shkëmbimin e energjisë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin e të dyja sistemeve energjetike.

Financimi i projektit në fjalë për pjesën e Kosovës do të jetë 33.5 milionë euro, ndërsa për pjesën e Shqipërisë 42 milionë euro. Gjatësia e linjës për Kosovën është 90 kilometra, ndërsa për Shqipërinë do të jetë 151.5 kilometra.

Top Channel