
Të mërkurën nuk u dërguan në gjykatë zyrtarët e komunës së Prishtinës, të cilët u arrestuan një ditë më parë.
Burimet në polici dhe në prokurori paralajmërojnë një dosje voluminoze për komunarët të cilët dyshohen se keqpërdoren paranë publike.
Bëhet fjalë për punimet që po bëhen për mbulimin e lumit Prishtevka në lagjen lagjen Kalabria të kryeqytetit.
Dyshohet se rreth 900 mijë euro kaluan në llogarinë e një kompanie e cila nuk ishte e kontraktuar për punime në këtë projekt.
Sipas Tomë Gashit, avokat i njërit prej të arrestuarve, cdo gjë do të sqarohet të enjten kur një ekspertizë do të tregojë nëse komuna ka pasur të drejtë ligjore të angazhojë kompaninë në fjalë për t’i kryer punimet.
“Me sa jam njoftuar, nuk ka prova që kemi të bëjmë me aferë korruptive se, dikush dikujt i ka dhënë para për kryerjen e këtij tenderi, vetëm se ka dyshime për keqpërdorime financiare. Më së miri kjo do të vërtetohet me një ekspertizë të ardhshme ku do të shihet nëse kontrata fillestare ka qenë e vetmja, apo ka pasur aneksë të kontratës që kanë ndryshuar kontratën bazë. Nëse ka pasur aneksë të kontratës dhe ato aneksa janë në mënyrë ligjore, unë nuk shoh kurrfarë keqperdorimi”, deklaron Gashi.
Gjashtë të arrestuarit do të paraqiten të enjten në gjykatë. Tomë Gashi paralajmëron lirimin me kusht, ose ndonjë masë më të butë ndaj të arrestuarve.
“Nuk ka pasur nevojë të arrestohen, sepse për cdo transfertë ekzistojnë faturat dhe hetimet mund të vazhdojnë edhe nëse ata janë në liri”, shprehet Gashi.
Disa ditë më parë kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa akuzoi Policinë e Kosovës se përmes njerëzve të shërbimit informativ po bën shantazhe politike në komunën e Prishtinës, duke dërguar forca policore në vazhdimësi kinse për krime ekonomike.
Top Channel