Policia në Korenë e Jugut ka bastisur zyrat e Google në Seul, pas
dyshimeve se gjigandi i kërkimeve në internet ka mbledhur ilegalisht të
dhëna personale të përdoruesve.
Hetuesit dyshojnë se agjencia e publicitetit të lëvizshëm të Google, AdMob, ka mbledhur informacion mbi vendndodhjen e përdoruesve pa pasur lejen e duhur.
Ngjarja në fjalë ngre sërish shqetësimet për sigurinë e të dhënave personale, sidomos tani që objektet elektronike portabël po bëhen më popullore.
“Ne dyshojmë se AdMob ka mbledhur informacione personale pa pasur lejen e posacme nga Komisioni Korean i Komunikimeve”, ka deklaruar një oficer i policisë koreane.
Hetimi në Korenë e Jugut vjen pas lajmeve të mediave se edhe rregullatorët në Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e një hetimi mbi aktivitetet e Google.
Top Channel