Pas ndeshjes së javës së kaluar në Santiago Bernabeu, Barcelona dhe Real Madrid do të dalin sonte sërish në fushë, për të luajtur El Clasico-n e fundit për këtë sezon.
Me fitoren 2-0, kualifikimi për në finalen e Champions është në duart e Barcelonës. Ekipi i Mourinhos i ka ta pakta mundësitë për të përmbysur rezultatin, sidomos kur bëhet fjalë për një stadium si Kamp Nou.
Në konferencën e fundit për shtyp, Jose Mourinho ka preferuar t’ia lërë vendin zëvendësit të tij Aitor Karanka, i cili më shumë se ndeshja ka preferuar të komentojë vendimin e fundit të Uefa për të hedhur poshtë pretendimet e madrilenëve për gjestet antisportive të lojtarëve të Barçës.
“Nuk është hera e parë që për disa lojtarë apo klube aplikohen rregullat e UEFA-s dhe për disa të tjera rregulla të tjera”, ka pohuar Karanka.
“Uefa reklamon fair play, por sonte në fushë do të ketë lojtarë që nuk i respektojnë këto principe. Gjithsesi ne jemi Real Madrid, kemi 109 vite histori dhe kemi 9 kupa kampionesh. Nëse do ta arrijmë përmbysjen e rezultatit do t’ia dedikojmë Mourinhos”, ka përfunduar Karanka.
Nga ana tjetër, Pep Guardiola para analizës së ndeshjes ka thurur elozhe për lojtarët e tij.
“I njoh mirë dhe them se ata janë një shembull i mirë i profesionalitetit dhe ndershmërisë. Përsa i përket ndeshjes, e dimë se si mund të luajë Reali. Duhet të bëjmë gjithçka për të shmangur problemet që mund të lindin në fushë. Duhet të sulmojmë, por sigurisht duke bërë shumë kujdes. Duhet të mendojmë vetëm për atë që në dimë të bëjmë më mirë. Të dominojmë ndeshjen ashtu siç e bëmë një javë më parë”, ka përfunduar Guardiola.
Top Channel