“Champions”, Barcelona në finale

03/05/2011 22:50

Barcelona është skuadra e parë finaliste e Ligës së Kampioneve. Katalanësit edhe pse barazuan 1-1 me Real Madrid në Camp Nou, shkojnë në Wembley falë fitores 0-2 të gjashtë ditëve më parë në Bernabeo.

Ndryshe nga takimi i parë, Real Madrid zgjodhi të luante në sulm, edhe pse gjendej pa Murinjon në stol dhe me mungesa cilësore si Pepe dhe Serxho Ramos, të ndëshkuar me kartona të kuq ndeshjen e parë.

Madrilenët në fushë zbresin me Kakanë, Ronaldon, Di Marian dhe Higuain dhe ushtrojnë presion mbi skuadrën katalanase që në minutat e para të takimit. Por me rrjedhjen e minutave, katalanasit nisin të marrin frenat e takimit në dorë, duke rrezikuar disa herë edhe për të shënuar me goditjet e Pedros, David Vilës dhe Mesit.

Por, pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, pjesa e parë përfundon me rrjeta të paprekura. Pjesa e dytë ishte një shëmbëlltyrë e pjesës së parë. Reali sulmon më shumë minutat e para, por pa arritur të gjej golin e avantazhit, përkundrazi, ndëshkohet në minutën e 54 nga Pedro, i cili u vidhet mjaft mirë mbrojtësve merengues duke dalë i vetëm përballë portierit Kasijas dhe nuk gabon, Barcelona shënon.

Reagimi i Realit mbërrin në minutën e 64 kur Marcelo shtyn në rrjetë një top të devijuar nga Viktor Valdes pas goditjes së Di Marias. Rezultati barazohet në 1-1 dhe Real mban gjallë shpresat për kualifikim, ëndërr kjo e sfumuar me kalimin e minutave, që nuk sollën ndryshim rezultati.

Barcelona-Real Madrid mbyllet me rezultatin e përgjithshëm, në të dyja takimet gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, 3-1, katalanasit prenotojnë biletën për në Wembley duke pritur ditën e mërkurë për t’u njohur me skuadrën kundërshtare, që sipas të gjitha gjasave do të jetë Manchester United, falë fitores 2-0 në transfertën e luajtur në Gjermani kundër Shalkes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA