Bin Laden, mbrohet Pakistani

03/05/2011 08:00

Presidenti pakistanez Asif Ali Zardari ka mohuar zërat se vrasja e Osama bin Laden në vendin e tij është një shenjë e dështimit të tij në luftën kundër terrorizmit.

Në një shkrim të tijin në gazetën “Washington Post”, zoti Zardari ka deklaruar se vendi i tij ka qenë viktima më e madhe e terrorizmit.

Bin Laden u qëllua për vdekje nga forcat amerikane në qytetin pakistanez të Abotabadit, pa përfshirjen e trupave ushtarake vendase.

Autoritetet amerikane thanë pas sulmit se Bin Laden duhet të ketë pasur një sistem mbështetës në Pakistan.

54-vjecari ishte themeluesi dhe lideri i Al Kaedës. Ai ka pranuar përgjegjësinë e tij për atentatet e 11 shtatorit të vitit 2001, si dhe të një seri atentatesh të tjera. Ai ishte njeriu më i kërkuar i Shteteve të Bashkuara.

Autoritetet amerikane kanë thënë se janë 99.9 për qind të sigurta se personi që qëlluan dhe vranë ishte pikërisht Bin Laden.

Ato kanë shtuar se një video dhe disa fotografi janë bërë për varrimin e tij, por nuk saktësuan nëse ato do të publikohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA