Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë zyrtarë të lartë të komunës së Prishtinës. Siç njoftohet, arsyeja e arrestimit është keqpërdorimi i pozitës zyrtare nga ana e zyrtarëve komunalë.
Ndërkohë, sipas burimeve policore, emrat e të arrestuarve janë Ridvan Shahini, drejtor i infrastrukturës, Ekrem Rexha, shef i prokurorimit, Qazim Bajrami, kryesues i organit mbikëqyrës, Halil Fejziu, anëtar i organit mbikëqyrës, Hazir Krasniqi, anëtar i organit mbikëqyrës dhe Refik Sadiku, kryetar i organit mbikëqyrës.
Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës njofton se, gjashtë të arrestuarit dyshohen të kenë kryer veprën penale duke keqpërdorur autoritetin e tyre zyrtar.
Si rrjedhojë e ngjarjes, pas marrjes në pyetje nga zyrtarët policorë, gjashtë të arrestuarit me urdhër të prokurorit, iu është caktuar masa e ndalimit në 48 orë.
Këto arrestime pasuan akuzat politike të kryetarit të Prishtinës Isa Mustafës kundër Policisë së Kosovës.
Mustafa kishte akuzuar pjesëtarët e policisë se gjatë kontrollit në objektin e komunës, një grup i hetuesve ishte sjellë në mënyrë brutale.
Pas këtyre deklaratave kishte reaguar Ministria e Punëve të Brendshme, por edhe zyrtarët e policisë së Kosovës.
Ndërkohë, pak ditë më pas, 6 zyrtarët e lartë të komunës që udhëhiqet nga z.Mustafa, tashmë gjenden në paraburgim.
Top Channel