Tifozët e skuadrës së Flamurtarit kanë kërcënuar me bllokimin e Urës së Milofit, në rast se Komisioni i Disiplinës në FSHF nuk do t’i japë ekipit të tyre fitoren në tavolinë për ngjarjet që ndodhën 8 ditë më pare, në ndeshjen me Laçi, ku mbeti i plagosur portieri i Flamurtarit, Shpëtim Moçka.
“Komisioni me mendje të kthjellët duhet t’i japë tre pikët në tavolinë Flamurtarit. Në të kundërtën ne do të marrim masa deri në bllokimin e Urës së Mifolit”, është shprehur Agron Sinani, kryetari i shoqatës së tifozave “Dragonjtë kuqezi”.
Më shumë se 50 tifozë të skuadrës vlonjate kanë protestuar përpara stadiumit kombëtar, ku kanë hedhur parrulla ndaj drejtuesve të FSHF-së.
Adresa e fyerjeve dhe sharjeve të tyre ishte dhe skuadra e Skënderbeut dhe ministri i Financave, si një nga mbështetësit kryesorë të skuadrës korçare.
Tifozët e Flamurtarit kanë kërkuar më pas të zhvendosin protestën e tyre para zyrave të FSHF-së, por nuk janë lejuar nga policia, sipas të cilës, leja për këtë veprimtari ishte marrë vetëm për këtë zonë. Leja e dhënë nga drejtoria e policisë së qarkut Tiranë, ka qenë për 60 minuta.
Top Channel