Pas 11 shtatorit të vitit 2001, Shtetet e Bashkuara lëshuan një listë me liderët e dyshuar të Al Kaedës. Që atëherë shumë prej tyre janë kapur, të tjerë janë vrarë, ndërsa të tjerë kanë rritur prestigjin e tyre në radhët e organizatës.
Pas vrasjes së liderit të padiskutueshëm Osama bin Laden, pesë pretendentët kryesorë për zëvendësimin e tij në krye të rrjetit terrorist janë:
Ayman al Zawahiri, një kirurg me një sy që ndihmoi në themelimin e grupit militant Xhihadi Islamik Egjiptian. Prej kohësh ai është shefi i ideologjisë së grupit dhe dyshohet nga disa ekspertë se ka qenë “truri operacional” i sulmeve të 11 shtatorit.
Abu Yahya al Libi, i njohur ndryshe si Hasan Qayid, i cili mendohet se ka qenë anëtar i Grupit Luftarak të Islamit Libian, para se të bënte aleancë me Osama Bin Laden. Që atëherë, ai ka dalë si teologu kryesor i Al Kaedës dhe si njeriu më i shfaqur nëpër video, duke lënë pas Ayman al Zawahiri në vitet e fundit.
Khalid al Habib, i cili mendohet se është egjiptian ose maroken, është identifikuar për herë të parë në një video të transmetuar në nëntor të vitit 2005. Ai shfaqej si komandanti i operacioneve të terrenit në jug-lindje të Afganistanit, ndërkohë që në jug-perëndim homologu i tij ishte Abd al Hadi al Iraqi.
Adnan el Shukrijumah. Në gusht të vitit 2010, FBI tha se El Shukrijumah ka marrë drejtimin e këshillit të operacioneve të jashtme të Al Kaedës. Pasi ka jetuar për 15 vjet në SHBA, është e para herë që një lider kaq i afërt me shoqërinë amerikane zgjidhet për drejtimin e seksionit për sulmet jashtë Afganistanit.
Atiyah Abd al Rahman. Një libian që u bashkua me Osama bin Laden në Afganistan që kur ishte adoleshent, në vitet 1980. Që atëherë ai ka fituar një reputacion të rëndësishëm në radhët e Al Kaedës, si specialist i eksplozivit dhe një islamik i shkolluar.
Pas pesëshes së parë, lista e pretendentëve vijonë me: Saif al Adel, Mustafa Hamid, Saad Bin Laden, Hamza al Jawfi, Matiur Rehman, Abu Khalil al Madani, Midhat Mursi, Fahd Mohammed Ahmed al Quso, Adam Gadahn, Nasser Abdul Karim al Wuhayshi, Anwar al-Awlaki, Abou Mossab Abdelwadoud.
Përgatiti: Genc Frashëri
Top Channel