Presidenti amerikan Barack Obama do të vizitojë Alabamën e goditur më
rendë nga stuhitë shkatërruese që janë përplasur mbi juglindjen e
Shteteve të Bashkuara.
Numri i viktimave ka mbërritur në gati 300 dhe vetëm Alabama ka 210 prej tyre.
Ky bilanc i të vdekurve e bën frontin e fundit atmosferik, më vdekjeprurësin në Shtetet e Bashkuara prej afro 4 dekadash.
Obama, që do të ndalojë në Tuscaloosa-n gjysmë të rrënuar nga tornadot, premtoi mbështetje për komunitetet e prekura, bashkë me ndihmën federale që po i dërgohet Alabamës.
Vdekje e një vazhdë e gjatë shkatërrimesh raportohen edhe në Tennessee, Mississippi, Georgia e Virginia.
Guvernatori i Alabamës Robert Bentley deklaroi se mund të duhen disa ditë për të konfirmuar numrin total të viktimave.
Obama përshëndeti punën e pakursyer të ekipeve të shpëtimit e tha se është pranë çdo amerikani të prekur nga stuhitë katastrofike, siç i quajti ai.
Në 7 shtete, është shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Shërbimi kombëtar metereologjik në Shtetet e Bashkuara njoftoi se që nga fillimi i stuhive, 300 tornado janë regjistruar në zonë, më shumë se 150 vetëm të mërkurën, shumica me gjerësi 1,6 kilometra dhe erëra që mbërrinin shpejtësinë 320 km në orë.
Bilanci i viktimave nga sistemi i stuhive është më i rëndi në Amerikë që prej vitit 1974, kur vorbullat e fuqishme të ajrit morrën 315 jetë njerëzish në 13 shtete të ndryshme.
Top Channel