Nëse do t`i kërkosh falje dikujt, lulja është zgjedhja e duhur.
Kujdesi për mishërimin e natyrës që ka frymëzuar poetët konsiderohet “dëshirë” për të bukurën dhe jetën.
Kultivimi i luleve, një profesion 3 mijë vjeçar, është tregues kulturor i zhvillimit dhe emancipimit të një shoqërie, i respektit, dashurisë, ndjesisë, qetesisë dhe mirësisë. Një enumeracion fjalësh me emërues të përbashket “lulen”.
Trëndafili, tulipani, narcisi dhe orkidea, janë lulet më të preferuara, por ne do të shohim se pse njerëzit janë apasionuar pas kësaj bote të mistershme dhe çfarë i shtyn ata t`i kultivojnë dhe t`i bëjnë pjesë të jetës së tyre.
Shqipëria, një vend me nivel jo shumë të lartë kulture, kultivimi dhe ekspozimi, prej disa vitesh e ka kthyer vëmendjen tek lulet. Bimët zbukuruese tradicionale dhe ato të importuara nga jashtë, kanë zgjuar vëmendjen në ditët e sotme.
Nga të dhënat arkivore mësojmë se në vitin 1994 vendi ynë ka patur një sipërfaqe të mbjellë me lulishte prej 60 mijë metra katrorë, por bumi i ndërtimeve ka sjellë reduktimin e sipërfaqeve të tilla në qendrat urbane, pavarësisht rritjes së numrit të llojeve të bimëve dekorative që përdoren në parqe dhe ambientet e brendshme.
Jemi në Kamëz, aty ku jeton Fadil Shahini, një kultivues i rrallë i bimëve zbukuruese. Prej vitit 2000 ka nisur mbjelljen e një sipërfaqeje që sot arrin deri në 2.5 hektarë, kryesisht me fara vendi dhe sipas kësaj filozofie: “Llojet e bimëve që duhen kultivuar duhen vendosur nga vendi ku njeriu do të jetojë.”
Duke u nisur nga preferencat personale dhe mundësisë që i jep hapësira, Fadili me profesion inxhinier pyjesh, thotë se dekorimin e kopshtit e ka bërë sipas shijeve të menduara mirë, për 3 vjet me radhë.
Por jo gjithkush e ka këtë mundësi. Linda Daja jeton në një prej apartamenteve në Tiranë, ku vështirësitë për rritjen e tyre janë më të mëdha. Amvisa shqiptare e ka zbukuruar ballkonin e saj me lule shumëngjyrëshe e të llojeve të ndryshme. Lulja e fundit që i është shtuar koleksionit të saj modest quhet “Gjuha e vjehrrës”. Një grua piktore që ngjyrat i merr prej botës së luleve thotë se nuk rresht së informuari për mirëmbajtjen e tyre.
“Nuk mund të mburrem se kam informacion për rritjen e tyre. Kam lexuar shumë, por gjithmonë konsultohem me lulerritës”, shprehet Linda.
Por çfarë sugjerojnë njerëzit e fushës për ata që i duan dhe i rrisin lulet.
“Njerëzit që i pëlqejnë lulet duhet t`u drejtohen librave dhe të studiojnë mënyrat e kultivimit të luleve. Kur ka nevojë lulja për ujë, kur ka nevojë për pleh ose ku duhet mbajtur”, thekson Lush Susaj.
Ushqim i syve për këdo që i përdor në ambientet e shtëpive, vend-banimeve dhe zyrat, përveç zbukurimit janë një tregues i mirë edhe për shëndetin mendor.
“Një dhomë pa lule është shumë e vrazhdë dhe stresuese. Tre lule në dhomë apo në ambjentin e punës do të krijonin një atmosferë të bukur”, shton Susaj.
Lulet kanë gjuhën e tyre dhe në këtë nocion abstrakt të komunikimit me to, njerëzit kanë mundur të intepretojnë domethënien. Lulja e Narcizit në gjuhën e luleve është shprehje e kotësisë dhe paaftësisë në dashuri. Një tjetër domethënie ka “lucky bambu”, quhet lule fati, blihet me numër tek: nëse anëtaret e familjes korrespondojnë çift, atëherë duhet një më shumë.
Dhe këtë lidhje metafizike dhe shpirtërore që krijohet mes krijesës së natyrës dhe njeriut ka një shpjegim:
“Lulja merr dashuri dhe jep dashuri. Mua më duket sikur është e ngjashme me njeriun”, thotë Linda.
Top Channel