Akti i parë i gjysmëfinales së Ligës së Kampioneve mes Realit të Madridit dhe Barcelonës është vendosur nga një dopietë e Lionel Mesit në pjesën e dytë të takimit.
Në Santiago Bernabeo ndeshja nisi me të dyja skuadrat të kujdesshme. Madrilenët, edhe pse luanin përballë publikut të tyre, menduan më shumë për mbrotjen se sa për të kërcënuar Viktor Valdes, i cili u rrezikua seriozisht vetëm në minutat e fundit të pjesës së parë. E kundërta për Barcelonën, e cila u përpoq më shumë duke goditur disa herë portën, që gjithësesi mbetën tentativa.
Pjesa e dytë nis me Realin disi më të gjallëruar e të shtyrë më shumë përpara. Por një episod në minutën e 61 vendos fatin e këtij takimi. Pepe, “muri” që deri në ato minuta ishte vënë përballë Mesit, del me karton të kuq pas një ndërhyrjeje ndaj Dani Alves. E si të mos mjaftonte dalja e Pepes gjyqtari largon edhe vetë Mourinjon me të kuq për protesta.
Kaq mjaftoi që Lionel Mesi të shpërthejë, fillimisht duke shtyrë topin në rrjetë në minutën e 76 pas një asisti të Afelait e më vonë pas një aksioni personal duke anashkaluar mbrojtësit madrilenë e duke shtyrë topin në rrjetë për herë të dytë në minutën e 87.
Minutat e mbetura janë mjaft pak për reagimin e Realit, i cili u kujdes më shumë për të mos pësuar një tjetër gol.
Ky rezultat favorizon Barcelonën në ndeshjen e kthimit në Camp Nou që do të luhet të martën që vjen, më 3 maj.
Top Channel