Kryetari i PS, Edi Rama ka prezantuar kandidatin e opozitës në Mamurras, ku ka përmendur investimet e bëra nga pushteti vendor i majtë në këtë qytet.
“Saliu e di mirë që Mamurrasi është me ne. Kemi qendrën spitalore, shkollat, rrugët dhe stadiumin, që është pjesë e kulturës së këtij komuniteti”, ka deklaruar Rama.
Ndërsa rruga kryesore, sipas kreut të opozitës, ka mbetur e shkretë për shkak të qeverisë që pengon investimet.
“Kjo rrugë, që është rruga për të ardhur deri këtu, ka mbetur në këtë gjendje për një arsye, se ai zotëria nuk ka dashur të japë lekët sepse në Mamurras keni fituar ju”, ka pohuar Rama.
Sipas tij, këto politika janë një strategji e qeverisë për të goditur pushtetin vendor në ato qytete që nuk drejtojnë të djathtët, por që do të dështojë.
“Ai kështu është mësuar të bëjë kudo, duke penguar që t’i mërzisë njerëzit, që ata t’u kthejnë kurrizin atyre që kanë votuar. Por njerëzit nuk janë zhgënjyer nga ne, por nga ai zotëria dhe pushteti i tij i kusarisë e matrapazllëkut”, ka theksuar Rama.
Ai ka shtuar se qytetet dhe komunat ku ka qeverisur e majta nuk mund të krahasohen me ato ku ka qeverisur e djathta dhe ka ironizuar me deklaratat e kryeministrit.
“Ai, që thotë se do ta kthejmë Koplikun si Dubain dhe se në mal do të bëjë not, nuk ka asnjë qytet të tijin që mund të krahasohet me qytetet dhe komunat që ne qeverisim”, ka nënvizuar Rama, i cili është shprehur i bindur se qytetarët sot janë të zhgënjyer nga Berisha.
“Ata që i shkuan pas Saliut kurrë nuk panë një investim për këtë qytet, prandaj, ndërkohë që flet për alternativë, Saliu duhet të kuptojë se ne jemi e vetmja alternativë, e vetmja rrugë”, ka shtuar Rama.
Top Channel