Trupat ndërkombëtare në Afganistan thonë se kanë vrarë numrin dy të
rebelëve në vend, liderin e vjetër të Al Kaedës, Abdul Ghani.
Shtetasi saudit vdiq në një sulm ajror të dy javëve më parë në provincën e Kunarit, pranë Pakistanit, bëjnë të ditur sot forcat e NATO-s.
“Abdul Ghani, i njohur ndryshe si Abu Hafs al Najdi, drejtonte kampet e stërvitjeve dhe planifikonte sulmet ndaj liderëve tribalë dhe trupave të huaja”, thuhet në një deklaratë të Aleancës.
NATO vlerëson se rreth 100 anëtarë të Al Kaedës vazhdojnë të veprojnë në Afganistan, ndërkohë që 25 liderë të saj janë vrarë në muajt e fundit.
Abdul Ghani fajësohet për një seri atentatesh të profilit të lartë, përfshirë vdekjen e Malik Zarin, një lider tribal i afërt me presidentin Karzai.
Ai akuzohej gjithashtu për organizimin e sulmeve kundër ushtarëve të huaj, përfshirë të disa oficerëve amerikanë.
Top Channel