Në fund të vitit 2010 bankat shqiptare kishin investuar jashtë shtetit fonde në vlerën 1.2 miliardë dollarë.
Krahasuar me një vit më parë, shuma e parave që bankat kanë nxjerrë jashtë u rrit sipas të dhënave zyrtare me 46.1 për qind. Për vite me radhë një pjesë e mirë e kredive në valutë që kanë dhënë për biznesin dhe individët, bankat i kanë financuar duke marre fonde nga bankat e tyre mema, jashtë shtetit.
Por që nga shtatori i vitit 2009, levizja e parase ka ndryshuar krahun. Në raportin e fundit të stabilitetit financiar Banka e Shqipërisë thotë se tashmë sektori bankar shqiptar është kthyer në huadhënës neto. Kjo do të thotë se tani janë bankat shqiptare që po transferojnë fonde jashtë, në formën e depozitave pranë mëmave të tyre, apo dhe kredive që japin për të huajt.
Rritja e fortë e parave që bankat po nxjerrin jashtë ka të bëjë sipas ekspertëve me faktin se bankat perceptojnë një rrezik më të rritur në tregun e brendshëm dhe preferojnë që t’i investojnë paratë e tyre jashtë, ku ndjehen më të sigurta. Po sa e madhe eshte kjo shume e transferuar. Sipas te dhenave zyrtare 1.2 miliardë dollarë që bankat kanë investuar jashtë është e barabartë me 25 për qind të gjithë kredisë që ato kanë dhënë për biznesin dhe individët në Shqipëri.
Sipas të dhënave vetëm në vitin 2010 fondet që bankat nxorrën jashtë ishin gati të barabarta me ato që dhanë kredi në vend. Edhe pse bankat mund të kenë sërish burime financiare për të kredituar më shumë ekonominë, rritja e investimeve jashtë i kufizon ato. Të dhënat tregojnë se tkurrja e kredisë në vend filloi pikërisht në mesin e vitit 2009, kur bankat filluan të transferonin fonde jashtë. Dhe që nga ajo kohë rritja e kreditimit përkundër parashikimeve të bankës qëndrore vazhdon të mbetet në nivelet më të ulëta edhe pse kriza financiare ka kaluar dhe kërkesa është rritur.
Top Channel