Analisti i njohur i shtypit shqiptar, Andi Bushati e ka cilësuar si një propagandë dorëzimin e kasetave të përgatitura nga partitë politike tek mediat.
Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Bushati ka deklaruar se në këtë fushatë zgjedhore gazetarët po përsërisin të njëjtat gabime të verifikuara në vitin 2009.
“Është propagandë. Në 2009 ka pasur një mea culpa nga të gjithë gazetarët e njohur në vend, që kanë thënë se kemi bërë gabim dhe nuk përsëritet më. Sot po fshihen si struci dhe për mua kjo është një skandal”, ka pohuar Bushati.
Sipas tij, një gjë e tillë është e papranueshme, pasi kasetat e montuara janë të manipuluara dhe nuk mund t’i serviren publikut.
“Dalin kandidatët gjoja se po bëjnë fushatë, caktojnë militantë të partisë së tyre që bëjnë sikur i pyesin. Këto hidhen në një kasetë dhe u dërgohen televizioneve. A ka drejtues televizioni që të pranojë një absurditet të tillë?”, është shprehur Bushati.
“Nuk është e rëndësishme nëse janë Rama e Berisha, ky është një raport që duhet të jetë i sinqertë mes ekraneve dhe njerëzve që i ndjekin nga shtëpitë. Të marrësh kasetën e gatshme dhe ta transmetosh është një servis që bëhet ndaj politikës. Kështu e shoh unë këtë cështje, që duhet ta zgjidhim mes nesh dhe pa politikën”, ka shtuar ai.
Top Channel