Berisha në Fushë Krujë, rikujton vizitën e Bush

25/04/2011 23:00

Në Fushë Krujë, kryeministri Sali Berisha kujtoi vizitën e presidentit amerikan Xhorxh Bush dhe shprehu besimin se ky qytet i mikpritjes shqiptare do të dijë të mirëpresë më 8 Maj edhe kandidatin e koalicionit Aleanca për Qytetarin, Bilal Stafuka. (UPDATE)

Per kryeministrin Berisha, gjithcka është arritur në këto 5 vjet, anëtarësimi i vendit në NATO, liberalizimi i vizave dhe rritja ekonomike e vendit nuk është meritë vetëm e reformave të qeverisë, por edhe e mbështetjes së shqiptarëve.

“Së bashku, ne ia dolëm të mbajmë premtime të mëdha, të dyfishojmë të gjitha pensionet e ulëta, të dyfishojmë rrogat e ulëta dhe rrogat e mesme. Sëbashku, ne ia dolëm që, në këtë vend që kishte gjithsej 2400 kilometra rrugë të asfaltuara, të asfaltojmë në katër vjet, 8 000 kilometra rrugë. në djersën e ballit, në rrudhat e fytyrës sonë, në pluhurin e fytyrës sonë qëndrojnë sukseset tona të mëdha, qëndron vendosmëria jonë për të ndërtuar të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë, qëndron vullneti ynë i hekurt, për të ndërtuar Europën në Fushë Krujë e kudo, në të katër anët e vendit”, tha Berisha.

Alternativën e kundërshtarit politik, Edi Rama, kryeministri Berisha vazhdon ta cilësojë si alternativën e konfliktit dhe të shpifjeve, që për shqiptarët ka rezultuar vetëm në rrugën e bllokimit për projektet e mëdha të vendit.

“Zoti Edi Rama, që ka zgjedhur rrugën e vetme, mendon se me atë rrugë mund të përbaltë Sali Berishën. Por gabon rëndë, sepse me atë rrugë, ai dëshmon se do të përbaltë çdo shqiptar, të përbaltë arritjet e sukseset tuaja, gjithçka që ne kemi realizuar me mund e djersë këto vite”, deklaroi kryeministri.

Zgjedhjet lokale të 8 Majit, sipas kryeministrit Berisha do të shënojnë një fillim të ri për zbatimin e projekteve të reja, që kanë në qendër përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Le ta lëmë shokun Rama në rrugën e tij të vetmisë, sepse në datën 9 maj, Tirana dhe Shqipëria do ta nisë atë në vetminë më të thellë politike që meriton. Në 9 maj, ne, burrat e gratë, djemtë e vajzat e Fushë Krujës dhe mbarë Shqipërisë kemi një fillim të ri”, u shpreh Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA