Kryeministri Sali Berisha ka qenë në Fushë Krujë, ku pasi ka prezantuar kandidatin e PD për këtë bashki, ka shprehur bindjen për fitore më 8 maj.
“Fitoren e Bilal Stafukës më 8 maj në Fushë Krujë dhe në komunat e saj do ta shndërrojmë në një sukses, në një mirësi për gjithësecilin prej jush”, ka deklaruar Berisha.
Kryeministri ka saktësuar se në 4 vitet e fundit qeveria e tij ka investuar në Fushë Krujë mbi 1 miliard e 100 milionë lekë, investime që sipas tij në 4 vitet e ardhshme do të shumfishohen.
“Në 4 vitet që vijnë këto investime do të shumfishohen, Fushë Kruja do të ketë infrastrukturën më moderne, do të jetë hyrje moderne për në kryeqytet. Në 4 vitet që vijnë qeveria do të financojë cdo projekt të zotit Stafuka për asfaltimin e rrugëve dhe rrugicave, për sistemimin dhe ndricimin e tyre”, ka pohuar Berisha.
Duke premtuar financime për ndërtimin e shkollave të reja dhe rindërtimin e atyre ekzistuese, kreu i qeverisë ka bërë të ditur se ndërkohë është tenderuar sistemi i plotë i lumit, për të shmangur përmbytjet.
Ndërsa duke nënvizuar se në 4 vite u ndërtuan 121 kilometra rrugë, 11 ujësjellësa dhe 13 shkolla, Berisha ka prezantuar edhe projekte të tjera.
“Do ndërtojmë unazën e re, do bëjmë bajpasin dhe do fillojë ndërtimi i autostradës Fushë Krujë-Thumanë. Infrastruktura e Fushë Krujës do të jetë tërësisht evropiane”, ka theksuar Berisha.
Kjo sipas kryeministrit, është alternativa që duhet të zgjedhin shqiptarët dhe jo ajo e vetmisë, që sipas tij, ka zgjedhur kryetari i opozitës Edi Rama.
“Ai le të vazhdojë në rrugën e tij të vetmisë, sepse më 8 maj shqiptarët do ta nisin atë në rrugën më të madhe të vetmisë”, ka shtuar Berisha.
Top Channel