Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka reaguar pas shkrimeve të botuara në të përditshmen “Shekulli”, duke deklaruar se ka zhvilluar një hetim tërësor mbi pasurinë e kandidatit të PD për Tiranën, Lulzim Basha.
Sipas një njoftimi për shtyp, procesi hetimor ka nisur që në vitin 2005, duke kryer verifikime në zyrën kadastrale të qytetit të Utrehtit, ku pretendohet se Basha ka një shtëpi, si dhe në Post Bank Amsterdam dhe në bankën tjetër ABN-Amro.
Sipas ILDKP, apartamenti në fjalë është blerë me shumën 480.690 gulden holandezë dhe shifra prej 29.310 gulden që rrjedh nga shifra e deklaruar prej 510 mijë gulden është shuma që vetë zoti Basha ka deklaruar si rentë për kredinë e banesës.
“Nga të dhënat rezulton se burimi i blerjes së këtij apartamenti është një kredi e marrë në Post Bank, në shumën 204 mijë euro, që asokohe kishte vlerën 480 mijë gulden holandezë”, thuhet në komunikatë.
“Nga mbledhja matematikore e të gjitha shifrave të deklaruara, vlera e blerjes së apartamentit është e saktë me vlerën e deklaruar nga subjekti, gjithësej 510 mijë gulden holandezë”, theksohet më tej në të.
Top Channel