
E diela e Shenjtë e Pashkës ka ndryshuar atmosferën në kryeqytet. Besimtarë ortodoksë dhe katolikë kanë vijuar ritet e tyre fetare në Katedralen Katolike dhe Kishën Ortodokse me meshën e mesditës me ndezjen e qirinjve e më pas, duke përplasur vezët e kuqe e duke përcjellë urimet më të mira për njëri-tjetrin.
Pashkët u kremtuan mesnatën e së shtunës, ku besimtarët e krishterë kanë pritur momentin më të rëndësishëm për ta, ringjalljen e Krishtit. Imzot Rrok Mirdita në katedralen e Shën Palit ka bërë thirrje për forcim të besimit dhe në Të Ringjallurin.
“Njeriu i sotëm ka nevojë për Krishtin e Ringjallur dhe Krishti i ringjallur shfaqet me anë të dëshmisë sonë. Ai në dhëntë forcën që t’i shpallim botës lajmin e mirë të fitores mbi vdekjen”, tha gjatë meshës, Imzot Rrok Mirdita.
Besimtarët ortodoksë kanë ndjekur fjalën e kryepiskopit Janullatos e kanë marrë prej tij zjarrin e ringjalljes.
Në meshën e mbajtur në kishen ortodokse të qytetit të Sarandës ka marrë pjesë edhe kryetari socialist, Edi Rama i shoqëruar nga familjarët e tij.
Ndërsa kryeministri i vendit Sali Berisha i ka uruar besimtarët e krishterë, të dielën e Pashkës, nga qyteti i Korçës.
“Urimet e mia më të përzemërta për të gjithë besimtarët ortodoksë korçarë, besimtarët katolikë korçarë, për të gjithë besimtarët e krishterë në mbarë Shqipërinë, besimtarëve të Zotit në Shqipërin, ngjalljes së përjetësisë. Pata kënaqësinë të informoj udhëheqjen e Kishës Ortodokse të Korçës se qeveria vitin që vjen do të nisë ndërtimin e muzeut të artit mesjetar dhe të lirojë të gjitha mjediset të cilat i përkasin kishës”, tha kryeministri Berisha.
Në këtë ditë të shenjtë, aktivistë të Aleancës Kuq e Zi dhe nënkryetari KLD-së Kreshnik Spahiu kanë qenë në mesnatë në kishën “Fjetja e Shën Mërisë” në Pogradec, ku së bashku me qindra besimtarë ortokdosë kanë kremtuar Pashkët dhe kanë thyer vezët e pashkëve në formë tradicionale mes tyre.
Top Channel