
Sulmet e koalicionit kanë reduktuar me 30-40 për qind forcat tokësore të
kolonelit Muammar Gaddafi, por përballja po hyn në një situatë
bllokimi.
Deklarata është bërë nga kreu i shtabit të përgjithshëm amerikan, admirali Mike Mullen, gjatë një vizite në Bagdad.
Mullen ka shtuar se nuk ka prova për një përfaqësim të Al Kaedës në radhët e opozitës libiane, duke shuar kështu frikën e infiltrimeve në konflikt.
Ndërkohë, mësohet se koloneli ka shpenzuar deri tani mbi 3 milionë dollarë e gjysmë për të rekrutuar qindra mercenarë, që luftojnë përkrah trupave besnike kundër rebelëve.
Lajmin e bën të ditur “Daily Telegraph”, që iu referohet disa informacioneve të dorëzuara zyrtarëve të NATO-s nga një ish-zyrtar i regjimit libik.
Sipas burimit, cdo mercenar është paguar rreth 10 mijë dollarë për të luftuar për dy muaj me trupat e liderit libik.
Ndërkohë, gjatë natës në Bengazi është mbajtur një ceremoni në nder të dy fotoreporterëve Tim Hetherington dhe Chris Hondros, të vrarë në qytetin e Misratës.
Rreth 30 persona, gazetarë, diplomatë, përfaqësues të OJQ-ve dhe rebelë kanë bërë homazhe në hotelin “Tibesti”, duke mbajtur nga një qiri në duar. Dy arkivolët u dërguan në Bengazi me një anije të Organizatës Botërore të Emigracionit.
Top Channel