
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, deklaroi përpara gjysmëfinales së parë të Kupës së Italisë përballë Palermos se skuadra e tij është e vendosur të luftojë për të bërë dopietë në këtë sezon.
”Kemi detyrën që të luftojmë për të dy titujt, kampionat dhe Kupë. Është e rëndësishme që të bëjmë një ndeshje të mirë në ndeshjen e parë, në mënyrë që t’i japim vetes shanse të mira për kualifikim në ndeshjen e kthimit”, deklaroi trajneri i Milanit, i cili veçoi faktin që do të mundet të rreshtojë skuadrën më të mirë që ka në dispozicion.
”Do të luajë Ibrahimovic dhe Cassano në sulm, ndërsa në mesfushë do të luajë që prej minutës së parë Pirlo”, shtoi ai.
Në ditët e fundit, Allegri është mbushur me komplimente nga dy drejtuesit më të lartë të klubit, Berlusconi dhe Gallaini. “Unë kam vetëm meritën që jam vënë në dispozicionin e lojtarëve të mi.
Nuk do të kisha mundur të arrija deri këtu nëse nuk do të kisha patur mbështetjen e emrave të mëdhenj të skuadrës, por nuk është momenti për lëvdata pasi ende nuk kemi siguruar asgjë”, komentoi trajneri livornez.
Top Channel