
Robotë të kontrolluar nga distanca janë duke u përdorur për të matur nivelin e rrezatimeve në centralin bërthamor të dëmtuar të Fukushimës në Japoni, lajmëruan sot mediat ndërkombëtare.
Leximet nga dy reaktorët më problematikë kanë treguar për nivele të tilla rrezatimi që e bëjnë të pamundur punimin e njerëzve në zonë, prandaj robotë po dërgohen deri në vatrën ku kanë ndodhur dëmimet, për të kuptuar saktësisht përmasat e katastrofës.
Sipas kompanisë që operon reaktorët, TEPCO, situata është nën kontroll, por do të duhet i gjithë viti për të zgjidhur përfunidmisht krizën bërthamore.
Situata në reaktorët e dëmtuar nuk ka qenë kurrë plotësisht e qartë, pasi Tokio asnjëherë nuk ka dhënë një informacion të plotë dhe të detajuar rreth asaj që është duke ndodhur.
Një sondazh i publikuar sot në tre gazeta kombëtare tregoi se shumica e japonezëve janë kundër qeverisë së Kryeministrit Kan, e cila sipas tyre ka punuar në mënyrë të keqe gjatë krizës.
Top Channel