Janë luajtur të shtunën ndeshjet e javës së 28-të të Kategorisë Superiore. Takimi më interesant i javës ishte ai i luajtur në Laç, një sfidë që vlente edhe për një vend në kupat e Evropës.
Në pjesën e dytë të ndeshjes, kurbinasit e panë veten në avantazh pas golit të Hysës në minutën e 70-të. Gjithçka dukej se po shkonte shumë mirë për Laçin, por për pesë minuta ndodh surpriza.
Shkodranët barazojnë rezultatin me Sinanin 2 minuta më pas, me bomberin që përfiton nga një rrëmujë në zonë dhe trondit rrjetën.
Në minutën e ’74, Vllaznia gjen golin e avantazhit me Gocajn, i cili shkëputet në momentin e duhur, duke shmangur pozicionin jashtë loje dhe nuk gabon përballë Vashakut.
Në minutat shtesë ka kohë edhe për golin e tretë të shkodranëve. Shtubina përfiton nga një gabim qesharak i mbrojtjes, që nuk merret vesh me portierin dhe thjesht shtyn topin në rrjetë.
Tashmë Vllaznia e vendit të tretë ka 50 pikë, ndërsa Laçi mbetet në vendin e 5-të me 43 pikë.
Ndërkohë, Kastrioti vuajti shumë me Bylisin, por në fund ia arriti qëllimit për të marrë pikë të plota në fushën e vetë. Krutanët e nisën mirë dhe gjejnë golin e parë në minutën e 23-të me Inkongën, por ballshiotët kundërpërgjigjen shumë mirë dhe barazojnë me Abazajn në minutën e 37-të.
Gjithsesi, Kastrioti nuk pajtohet me barazimin dhe këmbëngul fort, duke gjetur edhe golin tripikësh në minutën e ‘64 me autor Hoxhën. Kastrioti rikthehet në vendin e tetë me 33 pikë, kurse Bylisi zbret në të 10-in. Ndërsa në Durrës, Teuta ka mundur me rezultatin 4-2 Besën e Kavajës.
Top Channel