Nigeri, shpërthim në komisariatin e policisë

16/04/2011 13:45

Një shpërthim tronditi një komisariat policie në të qytetin verilindor të Maidugurit, në Nigeri, ndërsa votimet presidenciale janë duke u realizuar në vendin më të populluar afrikan.

Pavarësisht vdekjes së disa dhjetëra personave në dhunën që përfshiu vendin me 140 milion banorë gjatë fushatës, dita e zgjedhjeve kishte qenë e qetë deri përpara këtij shpërthimit.

Sipas “Associated Pres”, një pjesë e mirë e ndërtesës së komisariatit është shkatërruar, por nuk ka ende raportime të sakta për numrin e të vrarëve apo të plagosurve.

”Njerëzit janë shumë të frikësuar dhe po largohen me shpejtësi nga qëndrat e votimit, nga frika e sulmeve të tjera”, deklaroi një banor vendas në linjë telefonike.

Presidenti Jonathan theksoi disa herë përpara zgjedhjeve se mbajtja e një procesi të qetë dhe të drejtë për herë të parë në Nigeri është sfida më serioze e karrierës së tij politike.

Ai pritet të fitojë me diferencë një mandat të dytë. Qyteti i Maidugurit ndodhet pranë kufirit me Çadin, Kamerunin dhe Nigerin, në një zonë të njohur për veprimtarinë e grupimeve terroriste të lidhura me Al-Kaedën.

Top Channel