Me tensionin e pritur është rrethuar atmosfera e El Clasico që zhvillohet mbrëmjen e sotme në ‘Santiago Bernabeu’ të Madridit.
Trajneri i Realit, Jose Mourinho ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp e menjëherë ata janë larguar duke e lënë të vetëm trajnerin portugez, bashkë me zëdhënësin për shtyp të skuadrës.
Ky incident është përplasja e radhës e Mourinho me mediat spanjolle që nga koha kur ai drejton këtë skuadër.
Nga ana tjetër, Barcelona vazhdon përgatitjet për këtë ndeshje të madhe, në të cilën vendoset edhe fati i tyre në synimin për titullin e tretë radhazi në kampionatin spanjoll.
Ndërkohë që kjo është vetëm El Clasico i parë nga 4 që këto dy skuadra do të zhvillojnë brenda 18 ditëve në tre veprimtari, kampionat, kupë dhe Champions League.
Fitorja do ta cojë në 11 pikë avantazhin e Barcelonës 6 ndeshje nga fundi i kampionatit e do t’i rrisë moralin përpara ndeshjes së 20 prillit, që është finalja e Kupës së Mbretit, për të mos folur për dy ndeshjet e gjysmëfinales të Champions League.
Për këtë ndeshje Mourinho ka në dispozicion të gjithë, nga Karim Benzema, Gonzalo Higuain dhe Kaka, të tre këta lojtarë të rikthyer nga dëmtimet.
Që nga koha kur Guardiola ka marrë drejtimin e Barcës ka zhvilluar ndeshje të mrekullueshme me 5 fitore radhazi.
E fundit ajo e nëntorit të shkuar 5-0 në “Camp Nou”, një goditje e rëndë për Joze Mourinho, i pathyeshëm deri në ato momente.
Janë të shumta pikat që bëjnë diferencën në dy skuadrat më të mëdha spanjolle. Për madrilenët i vetmi lojtar që vjen nga skuadrat zinxhir është portieri Iker Casijas, ndërkohë Barcelona ka 8 lojtarë të formacionit. Valdes, Puyol, Pique, Buskets, Xavi, Iniesta dhe Pedro.
Në total, taksa e transfertës për të gjithë lojtarët e Barcelonës është 9 milionë euro, aq sa është vetëm paga vjetore e Cristiano Ronaldo.
Në mbrëmjen e sotme formacioni i galaktikëve kushton 290.4 milionë euro, ndërkohë që ai i Barcelonës kushton 3.4 herë më pak.
Sa ka kushtuar sulmuesi madrilen Karim Benzema, 35 milionë euro, kushtojnë 2 lojtarë katalanas, Pique 5 milionë dhe Dani Alvesh 30 milionë, ndërkohë që një tjetër ndryshim i cuditshëm është ai mes Gerard Pique dhe Cristiano Ronaldo.
Qendërmbrojtësi i Barcës ka rekordin më të mirë në markimin e portugezit, megjithatë vlera mes tyre ndryshon me 85 milionë euro.
Por pavarësisht këtyre shifrave mes Barcelonës dhe Realit të Madridit në fushë nuk ka diferenca, ajo që mund të thuhet me siguri është se ky El Clasico do të jetë ndryshe nga ai i nëntorit që përfundoi 5-0.
Top Channel