Tenisti britanik, Andy Murray, fitoi me lehtësi në dy sete ndaj kundërshtarit Gil dhe do të shndërrohet në protagonist të një përballje emocionuese në gjysmëfinale, përballë numrit një në botë.
Murray mbërriti në këtë turne me një formë shumë zhgënjyese, pasi ishte eliminuar në tre turne që në raundin e parë, rezultate që e shtynë të shkarkonte trajnerin e tij, Alex Corretja.
Megjithatë, në dheun e Monterkarlos ai duket se ka rifituar vetbesimin dhe shkatërroi 6-2, 6-1 kundërshtarin Gil, duke paralajmëruar Nadalin për ndeshjen e nesërme.
”Gjithmonë më ka pëlqyer të përballet me Nadalin dhe jam i sigurt se do të jetë një test shumë i mirë për mua”.
Nga ana e tij, Nadal mposhti më parë gjatë ditës kroatin Ljubic në dy sete, me rezultatin 6-1, 6-3. Surpriza më e madhe e ditës ishte eliminimi i Federer, nga gjermani Melzer në dy sete, 6-4, 6-4. Gjysmëfinalisti tjetër është spanjolli Ferrer.
Top Channel