Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, hodhi poshtë të gjithë spekulimet mbi mundësinë e largimit të Ibrahimovic nga klubi në sezonin e ardhshëm.
”Zlatan nuk është nervoz dhe përballë Fiorentinës zhvilloi një prej ndeshjeve më të mira të sezonit në nivelin teknik. Për fat të keq ndodhi ai episod dhe më vjen keq që do të mungojë, por ai është edhe më i mërzitur se unë. Ibra është një aset i çmuar për të tashmen dhe për të ardhmen”.
Sfida e ardhshme në kampionat do të jetë ajo ndaj Sampdorias dhe gjashtë javë nga fundi, kryesuesit e Serisë A nuk mund t’i lejojnë vetes asnjë hap fals.
”Pres që Sampdoria të mos mbyllet e gjitha pas. Ata kanë disa lojtarë të mirë dhe nuk do t’a nënvlerësojmë. Është e rëndësishme që të nisemi menjëherë me ritmin e duhur. Duhet të bëjmë një ndeshje të mirë në të gjithë këndvështrimet për të siguruar fitoren”.
Ndaj gjenovezëve do të rikthehet edhe mesfushori Pirlo. “Ai është në dispozicion për ndeshjen e nesërme dhe do të grumbullohet, por nuk mund të nisë si titullar, pasi nuk ka ende minutat e duhura në këmbë pas një mungese të gjatë”, përfundoi Allegri.
Top Channel