
Pakistani ndërpreu përkohësisht bashkëpunimin mes agjencisë sekrete të Islamabadit dhe CIA-s, pas zemëratës që shkaktoi në vend vrasja e 2 pakistanezëve nga një agjent i CIA-s, në fillim të këtij viti.
Agjenti amerikan u arrestua menjëherë nga forcat e sigurisë pakistaneze, ndërkohë që marrëdhëniet me SHBA-në në fushën e bashkëpunimit sekret nuk janë më si më parë.
Në zyrtar i lartë i sigurisë pakistaneze, citohet nga CNN të ketë thënë se mes CIA-s dhe ISI (shërbimi sekret pakistanez) do të vazhdojë bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacioneve, por nuk do të ketë operacione dypalëshe.
ISI i ka kërkuar CIA-s të dhëna të sakta për agjentët e saj që operojnë në Pakistan. Të tillë agjentë, mendohet se janë rreth 40 që veprojnë për identifikimin dhe asgjësimin e anëtarëve të Al Kaedas.
Ngrirja e bashkëpunimit të tillë vjen në një moment delikat edhe në frymën e përgjithëshme të marrëdhënieve mes dy vendeve e kur Pakistani ka kritikuar sulmet me raketa të telekomanduara të SHBA-së kundrejt terroristëve. Shpesh këto sulme kanë shkaktuar dhjetra civilë të vrarë.
Drejtori i CIA-s, Leon Paleta ka patur një takim ditën e hënë me kreun e inteligjencës pakistaneze, Ahmad Shuja Pasha. Zëdhënësi i CIA-s e cilësoi këtë takim si mjaft produktiv, por nuk pranoi të japë detaje për atë cka u fol aty.
Gjithësesi, zyrtarët pakistanezë të sigurisë thanë se ky vendim i Pakistanit nuk është i përhershëm dhe se nuk ndikon tek sulmet me raketa të SHBA-së në zonat veri-perëndimore të Pakistanit, pasi këto sulme nuk ndërmerren me bashkëpunim.
Top Channel