
Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe arrestuan gjatë pasdites tre aktivistë që kërkonin reforma ekonomike dhe më shumë demokraci në vendin e tyre.
Midis të arrestuarve përfshihet edhe profesori i ekonomisë me famë botërore, Nasser bin Ghaith, të paktën sipas deklaratave të disa aktivistëve të tjerë për mediat.
Dy personat e tjerë të vendosur nën pranga janë njerëz që drejtontë një faqe interneti, e bërë popullore për forumin e saj kritik ndaj qeverisë.
Intelektualë emirates dhe aktivistë, të frymëzuar nga revoltat në vendet e tjera të botës arabe, nënshkruan një peticion në 9 mars, në të cilin kërkohet përfshirja e zgjedhjeve direkte dhe veshja e parlamentit me fuqi të vërteta ligjvënëse.
Emiratet e Bashkuara drejtohen nga një aleancë familjesh sheikësh super të pasur, të cilët emërojnë antarët e parlamentit prej 40 vendesh, të cilët votohen në mënyrë formale nga populli.
Në vend nuk ekziston asnjë grupim opozitar, ndërsa krijimi i partive politike është i ndaluar me ligj.
Disa vende arabe janë tronditur prej muajsh nga protestat, si Libia, Tunizia, Egjipti, Bahrein, Jemeni, Siria, Omani dhe në një masë më të vogël Jordania, Arabia Saudite, Algjeria dhe Maroku.
Top Channel