Mubarak mohon akuzat e ngritura kundër tij

10/04/2011 16:35

Dy muaj nga dorëheqja prej pushtetit si pasojë e protestave popullore që përfshinë vendin, ish-presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak jep intervistën e parë duke deklaruar se akuzat për korrupsion ndaj tij dhe familjes së tij, janë të pabaza.

Në një mesazh audio të transmetuar nga televizioni arab, Al Arabiya, Mubarak tha se gëzon të drejtën për të mbrojtur reputacionin e tij dhe të familjes së tij si dhe mohoi të zotërojë asete apo shuma financiare në vende të tjera.

“Me ka lënduar jashtë mase fushata e padrejtë e përbaltjes së emrit tim dhe të familjes time. Gjatë gjithë karrierës time politike, si në luftë, ashtu edhe në paqe kam punuar për Egjiptin dhe popullin e tij”, thotë Mubarak.

Mesazhi audio është i parë që nga dorëheqja e Mubarak në muajin shkurt, që coi kontrollin e Egjiptit në duart e Komiteti Suprem Ushtarak që u zotua për reformimin e kushtetutës.

Në shtator, Egjipti shkon për herë të parë në zgjedhjet të përgjithshme pas periudhës Mubarak.

Top Channel